Njohuri per Fterren

 


FTERRA

 

Sipërfaqja e përgjithshme e territorit të fshatit është rreth 37 km2. Shtrihet në një terren kodrinor dhe një pjesë e vogël në terren malor, në dy lugina: ajo e Fterrës në Perëndim dhe e Galishtit në Lindje. Kuota më e lartë është maja e Lëpjetës në Lindje me 1596m mbi nivelin e detit dhe, më e ulëta në Jugperëndim, 130m mbi nivelin e detit, tek bashkimi i përroit të Langadhës me lumin e Fterra Qendra e fshatit shtrihet në një lartësi mesatare 200 deri 250 m mbi nivelin e detit. Fterra kufizohet nga Veriu me fshatin Kuç (4.5 km kufi), nga Jugu me Golëmin (5km kufi), nga Juglindja me Zhulatin, Tatzatin dhe më Perëndim me Borshin. Përgjatë luginës së Fterrës kalon rruga automobilistike Borsh-Fterrë-Kuç me gjatësi rreth 23 km (prej të cilave 9.5 km. brenda territorit). Nga qendra e Fterrës dalin disa rrugë këmbësorësh, si rruga Fterrë-Çorraj, Fterrë-Qafa e Rrëmullës-Gurrë dhe Galisht, si dhe Fterrë-Lug në drejtim të Golemit.
Dy luginat ku shtrihet Fterra ndahen nga njëra-tjetra nga vargmali Lajthi-Gjothanas-Balash-Gargull me shtrirje veri-jug. Në të dy luginat ka burime të shumta uji. Klima është mesdhetare me një ekuilibër të lagështirës, freskisë dhe temperaturës. Në vartësi të relievit dhe lartësisë së tij mbi nivelin e detit, dallohen mikrozona klimatike, të cilat ndikojnë në larminë e llojin e bimësisë dhe të gjallesave. Temperaturat në dimër janë 8o - 9o C dhe në verë 20o-30o C. Zotërojnë erërat nga jugu me shpejtësi mesatare 3-5 m/se Kurveleshi, në mesditë haset puhia detare, ndërsa gjatë natës vepron puhia tokësore. Bien mesatarisht mbi 1200 mm reshje në vit. Në dimër bien edhe reshje dëbore, të cilat në zonën e ulët nuk qëndrojnë më shumë se 1-2 ditë, ndërsa në kuota të larta qëndrojnë disa muaj dhe rrallë e kalojnë muajin prill.
Hapësira ku shtrihet fshati Fterra, sikurse dëshmohet, ka qenë e banuar shumë herët. Ajo ka pasur gjah të shumtë, ndaj në të shkuarën e largët ka tërhequr vizitorë apo gjahtarë. Ata vinin nga brigjet e Jonit, sidomos nga kalaja e Badhrës (midis Borshit e Piqerasit), kalaja e Sopotit, nga kalaja e Qeparoit, kala që, siç dëshmojnë të dhënat arkeologjike, kanë qenë banuar qysh në kohën e bronzit (rreth 3000 vjet më parë).
Vazhdimësinë e banimit të fshatit Fterra e dëshmojnë të dhënat gjuhësore apo toponimet që janë ruajtur deri në ditët tona, si Qafa e Qishës, Ixuar-Ixor (burim), Bërda - kodër e vogël, Varrè-tog me gurë të vegjël etj. (emra sllav), si derven, foti, hon, perivol (ndikim turk e grek) e shumë të tjera. Ndeshemi edhe me toponime si Galile, Kikë, si dhe me emra njerëzish si Avrec-Jevrej, Rahile etj., që janë me origjinë çifute. Këto të fundit ndoshta kanë lidhje me vendosje të hershme të ndonjë familjeje çifute aty nga shekulli XVII. Pavarësisht nga kjo hershmëri e banimeve në rajonin e Fterrës, dokumentet e shkruara për ekzistencën e fshatit Fterra i gjejmë vetëm në fillimet e pushtimit osman.
Dokumenti i parë i shkruar është Defteri Osman i vitit 1431, i cili vendbanimin e fshatit e ka evidentuar me emrin Efteran (Fterra e sotme), në atë kohë me 12 hane (familje me kryefamiljarë, si dhe familje të tjera që paguanin taksa më të vogla), i cili bënte pjesë në nahijen e Sopotit, kazaja e Gjirokastrës. Pas 150 vitesh në defterin e v. 1583, Fterra evidentohet me emrin Ifteran, tashmë me 24 zjarre (shtëpi) dhe më pas, sipas një burimi tjetër, me 45 zjarre (shtëpi). Administrativisht, në fillimet e pushtimit osman Fterra bënte pjesë në nahijen e Sopotit (Kalasë së Borshit), në shekullin XVI në nahijen e Kurveleshi dhe kazaja e Delvinës, në vitin 1901 nga nahija e Himarës më kryeqendër vilajetin e Gjirokastrës. Pas krijimit të shtetit të parë shqiptar, kur Kurveleshi u bë nënprefekturë më vete me qendër Gusmarin, Fterra varej prej saj. Në vitin 1949 kaloi në vartësi të rrethit Vlorë dhe, me kërkesën e banorëve, në fillim të viteve ‘60 në përbërje të rrethit Sarandë, nga varet edhe sot.
Fteriotët kanë dhënë ndihmesë të çmuar gjatë historisë për mbrojtjen e krahinës së tyre dhe të viseve shqiptare. Të dhëna më të drejtpërdrejta na vijnë nga koha e kryengritjes së Tanzimatit. Gjatë kësaj kryengritjeje, çeta e Laze Kofinës (së parë) ka qëndruar në krahë të Tafil Buzit, Zenel Gjolekës, duke qenë njëherazi edhe këshilltar i këtij të fundit. Në vitin 1910, një grup fteriotësh, me në krye Nuredin Kofinën, vranë komandantin e andartëve grekë në luftime në Delvinë. E tillë ka qenë ndihmesa e fteriotëve edhe në kohën e Luftës së Parë Ballkanike e pas saj (1913-1916). Po kështu, Nuredin Kofina me shokë në vitin 1913 ndoqi grekët me luftime deri në Janinë. Në pranverën e vitit 1914 burrat e fshatit, të organizuar në çeta, së bashku me çetat e tjera të Kurveleshi e të Lumit të Vlorës luftuan ballë për ballë me andartë grek që nga Himara e deri në Kallarat e Bolenë. Banorët e Fterrës, në fillim të vitit 1916 u rikthyen në fshatin e tyre, por të shkatërruar e djegur plotësisht. Në vjeshtë të vitit 1916, fshati ishte ripërtërirë dhe arriti të hapë edhe shkollën fillore në gjuhën shqipe.
Fterra mori pjesë në Luftën e Vlorës më çetën e saj me 48 luftëtarë, nën komandën e Xhafer Shehut si dhe në mbështetje të qeverisë së Fan Nolit më 1924. Demokratë fteriotë si Tasin Elezi, Ismail Bezhani me shokë, për përkrahjen që i dhanë qeverisë së Nolit, më vonë internohen në Krujë dhe Gjirokastër.

Gjatë viteve 1925-1939 me vendosjen e Republikës e më pas të Mbretërisë, fshati shfrytëzoi më mirë kushtet e favorshme gjeografike e klimatik dhe, sipas preferencave e mundësive të familjeve të caktuara, mori zhvillim blegtoria, bujqësia, frutikultura. Gjithsesi, disa familje nuk siguronin dot të ardhura gjithëvjetore. Ndaj edhe shumë burra, kryesisht në krizën e viteve 1933-1936, mërguan në qytet për pune të ndryshme krahu.
Ndërsa qysh në vitet ’20 - ’40 shumë fteriotë morën rrugën e shkollimit e të nëpunësisë. Në këto vite mbi 20 djem fteriotë vazhduan shkollat e mesme, kryesisht Normalen e Elbasanit, gjimnazet e shtetit Gjirokastër e Tiranë etj., të cilët formuan dhe brezin e parë të intelektualëve, pas brezit të hoxhëve të shumtë në numër, që kishin mbaruar në Stamboll para Pavarësisë. Duke ecur në rrugën e dijes, fteriotët jo vetëm u arsimuan për vete por dhanë një ndihmesë të çmuar në arsimim e brezave të tërë në krahina të ndryshme të mbarë vendit. Për këto merita të bijve dhe të bijave të veta, fshati Fterra më 1 Mars 1961, është dekoruar nga Presidiumi Kuvendit Popullor për merita të shquara në arsim me motivacionin “Fshat nga gjiri të cilit kanë dalë dhjetëra mësues, që kanë kontribuar në zhvillimin e arsimit në krahina të ndryshme të vendit”.

Fterra është shquar për tradita arsimore. Shumë fteriotë u shkolluan në kurbet. Isa Hizmo arriti deri në detyrën e dekanit të Drejtësisë në Universitetin e Stambollit.
Shkolla e parë në gjuhën shqipe u çel në Fterrë në tetor të vitit 1916, me rreth 20 nxënës e mësues Selim Gjonikën. Shkolla nisi të forcohej kur më 1922 filloi detyrën e mësuesit Neim Zani, që punoi një jetë të tërë për arsimimin e bijve të fshatit. Më 1925 u ndërtua shkollë e re dhe më 1926 në të u ulën 39 nxënës, midis tyre për herë të parë dhe 16 vajza.
Shkolla punoi me ndërprerje edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, ku mësuesi Hiqmet Dusha, krahas mësimit, i edukonte nxënësit me ndjenja të zjarrta atdhedashurie.
Pas Çlirimit shkolla njohu rritje sasiore e cilësore. Që më 1945 u çelën dhe kurset kundër analfabetizmit. Në maj të vitit 1956 çelet kopshti i fëmijëve parashkollorë. Më 1 mars 1961 Fterra dekorohet nga Kuvendi Popullor për merita të shquara në arsim. Mbas ndërtimit të shkollës së re me dy kate në vitin 1968, në Fterrë merr udhë arsimi 8-vjeçar.
Fteriotët kanë rrezatuar arsim e dituri në të gjitha krahinat e vendit. Vetëm shkollën për mësuesi e kanë mbaruar deri në vitin 2004 mbi 130 djem e vajza. Arsimin e lartë e kanë mbaruar mbi 300 fteriotë dhe të mesmin mbi 500. Nuk gjen asnjë degë të shkencës e të dijes ku fteriotët të mos kenë dhenë ndihmesën e tyre të vyer. Prej tyre numërohen 2 akademikë, 11 Profesorë e Doktorë Shkencash, 2 Mësues të Popullit disa mësues të Merituar, pedagogë, shkrimtarë, artistë, ushtarakë, inxhinierë e ekonomistë, mjekë, agronomë etj.

Fteriotët u lidhën me Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare që nga fillimet e qëndresës aktive në Kurveleshi Moment kulmor për lidhjen e fteriote me Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare shënoi mbledhja e tyre te Kroi Bedrinit me të deleguar të Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar Bedri Spahiun në qershor 1942, ku krijuan edhe Këshillin e Parë Antifashist Nacionalçlirimtar me kryetar Mehmet Çallo dhe çetën territoriale të fshatit. Çeta territoriale mori pjesë në disa luftime në krahinën e Kurveleshit e të Bregdetit. Ajo në fillim kishte vetëm 25 luftëtarë dhe shpejt arriti me 55 anëtarë. Ndërsa, në formacionet partizane morën pjesë 45 fteriotë, kryesisht, në Br 1, 6, 8, 12, 19 S etj. Familjet fteriote, edhe në Galisht e kudo që ishin me bagëti në malet e Fterrës dhe të Borshit, u bënë baza të rëndësishme të luftës partizane. Fterra pësoi dëme të shumta njerëzore dhe materiale. Fterra ka 6 dëshmorë e disa viktima. Ju dogjën e shkatërruan 40 shtëpi, ju dëmtua rëndë gjëja e gjallë, pemishtet, kosheret e bletëve etj. Meritë të veçantë për organizimin e Fterrës në Frontin Antifashist Nacionalçlirimtar ka mësuesi dhe komisari Hiqmet Dusha, që u bë organizatori kryesor i tërë veprimtarisë politike dhe luftarake për Fterra dhe fteriotët. Dhe në vazhdim të tij, Mehmet Dusha , Safet Memi e të tjerë.

Rindërtimi i fshatit nga shkatërrimet e mëdha të Luftës së Dytë Botërore, përbënte detyrën kryesore menjëherë pas çlirimit për fteriotët. Pas përfundimit të mësymjes së përgjithshme gjermane të Qershorit 1944, fteriotët filluan nga puna intensive për ringritjen e fshatit dhe të ekonomisë private të çdo familjeje. Për këtë, në shkurt 1946 u ngrit komisioni për rindërtimin e fshatit. Mbështetur në burimet ujore të zonës, më 25 nëntor 1955, fteriotët morën për herë të parë energji elektrike nëpërmjet hidrocentralit të fshatit të inauguruar atë ditë. Sipas politikës ekonomike që ndiqte sistemi socialist për kolektivizimin e fshatit, edhe në Fterrë më 25 Nëntor 1956 u ngrit kooperativa bujqësore e Fterrës. Më 16 Tetor 1961 u bë bashkimi i disa kooperativave bujqësore të afërta, duke krijuara kooperativën Bujqësore të Bashkuar Borsh- Fterrë-Çorraj.
Pjesa më e madhe e sipërfaqes së fshatit Fterra me rrethinat prej 25 km2 është e mbuluar nga pyje, kryesisht shkurre me gjelbërim gjithëvjetor. Në lartësi më të mëdha, rriten hilqja, prralli, lisi, mretja, frashri, shqemëza dhe në kuota më të ulëta maria, shqopja, cmartja, etj. Ndërsa në tokat e kultivuara brenda fshatit rriten drurët frutorë. Bimësia e shumtë mbron tokën nga gërryerjet dhe ruan ekuilibrin natyror.
Fterra për shkak të kushteve natyrore e gjeografike, të burimeve ujore të shumta e të shfrytëzueshme, është nga fshatrat e vetme që bujqësinë e ka pasur si degë kryesore për sigurimin e mjeteve të jetesës. Bashkë me bujqësinë është mbarështuar dhe dhia e delja, kryesisht në kope të vogla. Në strukturën bujqësore, kulturat më të përhapura janë drufrutorët e perimet, dhe më pakë drithërat e bukës. Ndër drufrutorët më i çmuari është ulliri mesdhetar shekullor, frytet e të cilit përdoren për vaj cilësor dhe për t’i kripur. Kultivohen agrumet, më shumë portokallia e më pak mandarina e limoni. Janë me cilësi fiqtë: perdhikulë, shënjinas dhe kallamac. Arrat, shegët, ftonjtë e mani, kultivohen gjerësisht. Hardhia kultivohet si në bahçe dhe në oborret pranë shtëpive, kryesisht në formën e pjergullave. Më i përhapuri është kultivari antifillokseri (i njohur si “rrushi amerikan”), prej të cilit prodhohet raki aromatike. Nga drithërat kultivohet: gruri, elbi e thekra, kryesisht në mal, dhe misri, brenda fshatit ose në periferi të tij. Në arat e tarracuar të Fterrës mbillen të gjitha perimet, veçanërisht patatja, fasulja e qepa. Është me rendiment prodhimi i qepës e qepujkës, domates e lakrës, specit e barbunjës (lovidhes), si dhe fasulja, spinaqi, preshi, si dhe bimët foragjere, si jonxha, tërfili, tërshëra, etj.
Blegtoria është degë kryesore që ka siguruar e siguron produktet blegtorale. Mbarështohet delja dhe dhia karakteristike autoktone që u përshtatet kushteve të vendit. Veçanërisht dhia siguron një produkt prej 80-150 litra qumësht në vit, ndërsa delja trupvogël prodhon 30-50 litra qumësht në vit. Mbarështohet edhe lopa, që prodhon deri 600-1200 litra qumësht në vit, ndërsa nga njëthundrakët mbizotëron mushka si kafshë ngarkese dhe më pak gomari.
Kushtet natyrore të Luginës së Fterrës e rrethinat saj, favorizojnë edhe jetesën e kafshëve e shpendëve të egra, si: derri i egër, ujku, çakalli, dhelpra, lepuri e deri te sorkadhja, por dhe shpendë si: thëllëza, mëllenja e grifsha, turtulli e gjeli i egër, skifteri e cirko me gushëkuqin e njohur etj. Ndërsa poshtë, në Lumë, rriten peshq të vegjël, kryesisht pestrova. Fterra është e njohur edhe për kultivimin e bletës.
Për ruajtjen e shëndetit fteriotët kanë përdorur për mjekim disa bimë mjekësore që gjendeshin në fshat, si hashashi, cmarteja, mëllaga, fletët e arrës, shtogu, melheme e çaje të ndryshme. Nga mjekë popullorë është bërë edhe ngjitja e kockave të thyera, synetllëku, heqja e dhëmbëve të prishur, shërimi i bronkopneumonisë, i shytave, i sëmundjeve të lëkurës, i dhimbjes së veshëve, i diarresë etj, etj. Ambulanca e parë në fshat është çelur në vitin 1955 me një infermier. Ndihma mjekësore vazhdon edhe në ditët e sotme me ndihmësmjeke-mami. Fteriotët dallohen dhe për jetëgjatësi. Pas çlirimit, bij a bija të fshatit si, Besim Elezi, Luan Dusha , Hamza Memi, Edip Bezhani, Maks Memi, Fahri Mita, Sezai Braho e dhjetëra të tjerë janë bërë mjekë të dëgjuar në shkallë vendi.
Administrativisht, Fshati Fterra, pas shpalljes së shtetit shqiptar, ka qenë pjesë e nënprefekturës së Kurveleshi me qendër Gusmarin (vartësi nga Prefektura Gjirokastër). Më 1949, me krijimin e qarkut të Vlorës, Fterra dhe fshatrat e Kurveleshi të Poshtëm kaluan në vartësi të Vlorës. Në fillim të viteve ’60, përsëri ndryshon struktura administrative, Fterra dhe Çorraj kaluan në administrim të rrethit të Sarandës, ku janë dhe sot.
Fterra, në rrjedhat e kohës, ka pasur jo vetëm zhvillim por edhe zhvendosje të shumtë të banorëve. Nga 12 hane në vitin 1431, në vitin 1900 Fterra kishte 80-100 familje, në dhjetor 1944 - 134 familje (116 në fshat, 10 jashtë fshatit dhe 8 jashtë Shqipërisë). Në vitin 1960 në Fterra jetonin 102 familje, në vitin 1980-109 familje, në vitin 1990-114 familje dhe në vitin 2004 numri i familjeve zbret në 50. Nga një përllogaritje e përgjithshme del se në vitin 2004, të shpërndara në gjithë vendin dhe në emigracion, fteriotët kanë arritur në rreth 500 familje me mbi 2300 frymë. Në Fterra kanë jetuar gjithsej 38 fise.
Në këto 50 vjetët e fundit ka pasur rritje të theksuar natyrore, por ka pasur edhe lëvizje e largime, sidomos nga fshati në qytet e në fundin e shekullit XX edhe jashtë vendit. Në vitin 2004 përqendrime më të mëdha të familjeve fteriote janë në Tiranë, (rreth 40 për qind e tyre), në Sarandë (rreth 20 për qind ose mbi 80 familje, nga 3-4 familje në vitin 1960, kur fshati kaloi në vartësi të Sarandës). Por fteriotë ka edhe në Vlorë, Durrës, Shkodër etj. Nga familjet që jetojnë sot në Fterrë, vetëm 30 prej tyre janë aktive, kurse të tjerat janë të moshuar.
Fteriotët kanë shkuar në kurbet jashtë vendit aty nga fillimi i vitit 1700, kryesisht në Turqi (Izmir e Stamboll), kryesisht për të siguruar jetesën në punë të zakonshme. Nga të dhënat që kanë fiset përkatëse, del se në Turqi në vitin 1940 duhet të ketë patë mbi 50 familje. Vetëm nga fisi Xhama ka patë 12 familje. Disa prej tyre ndoqën me sukses edhe shkollat turke, duke arritur deri në drejtues të Universiteteve Perandorake, në ushtri, teologji, drejtësi, etj. Pjesa më e madhe e tyre janë asimiluar, kanë ndërruar mbiemrat dhe nuk dinë gjuhën shqipe.
Mbas vitit 1991, kur u hapën kufijtë, mbi 100 familje apo 450 veta emigruan jashtë vendit. Rreth gjysma e tyre emigroi në Greqi dhe një pjesë në Itali, ndërsa në SHBA dhe Kanada 70 veta, të tjerë në Gjermani, Austri etj.
Burimet ujore të Fterrës. Në territorin e Fterrës dalin 42 burime uji, të grupuara në burime uji me prurje më të mëdha dhe me prurje të vogla. Burimet kryesore janë Ixori me prurje 40 l/se Ngurrëza me 250 l/se Gjezhdanica me rreth 600 l/se Kurveleshi Në luginën e Galishtit janë burimi i Gurrës dhe ai i Vidhezës me prurje të vogla. Karakteristikë e këtyre ujërave është prurja e tyre gjithëvjetore me ndryshime të vogla. Cilësia e ujërave është e mirë. Fortësia rreth 8 gradë; temperatura e ujit lëviz nga burimi në burim nga 9o-12o C.
Pasuritë nëntokësore të Fterrës. Nëntoka e Fterra, edhe pse e pa shfrytëzuar, ka pasuri të ndryshme, si fosforite, dolomitë, shiste bituminoze. Minerali i fosforiteve del në horizontin e kretakut të sipërm. Për këtë janë kryer punime kërkimi nga Ndërmarrja Gjeologjike e Gjirokastrës në vitet 1976-1985, nga të cilat janë përcaktuar sasia dhe cilësia e mineralit. Rezulton që përmbajtja e P2 O5 luhatet nga 5% - 15% dhe trashësia lëviz nga 0.25 m. deri 0.7 m. për shtresën më të pasur. Minerali i dolomitit ka një përmbajtje të lartë që lëviz nga 18-21.8% MgO dhe gjendet nga burimi i Ngurrëzës deri në qafën e Qishës e të Hamuriqes. Shistet bituminoze (petëza të qymyrgurit që mund të digjen) janë të pakta. Ato dalin në Vranare, në Hallamëma, në Boke, në Borshin e Vjetër e në Dërrasën e Lugut (gropat e Qerimit).
Mbledhja e fteriotëve te Kroi i Bedrinit. Mbledhje e rëndësishme e popullit të Fterra më 27 Qershor 1942. Hodhi bazat e bashkimit vullnetar të fteriotëve rreth Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare . I deleguar i Qarkorit të PKSH ishte Bedri Spahiu. Populli Fterra vendosi të qëndrojë në krah të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare . Në këtë mbledhje u krijua Këshilli Antifashist Nacionalçlirimtare i fshatit me 5 anëtarë dhe me kryetar Mehmet Çallon. U ngrit edhe çeta territoriale e fshatit me 25 luftëtarë vullnetarë me komandant Iljaz Kofinën, zëvendëskomandant Muhedin Haderin, komisar Hiqmet Dushën dhe zëvendëskomisar Shaban Mitën.
Shkolla e parë shqipe në Fterrë. Mësimi i gjuhës shqipe në Fterrë ka filluar në vitet e fundit të shekullit XXIX. Abetaren e parë shqipe e solli në Fshat Hasan Hizmoja në vitin 1905. Në vitin 1910, krahas shkollës në gjuhën turke të çelur në xhami, Fetah Zani u mësonte fshehtas bashkëfshatarëve edhe gjuhën shqipe. Shkolla e parë në gjuhën shqipe u çel në tetor të vitit 1916, me rreth 20 nxënës. Mësuesi i parë ishte Selim Gjonika.
Çeta e Fterrës në Luftën e Vlorës. Çeta përbëhej nga 48 luftëtarë. Komandant çete ishte avokati, Xhafer Shehu. Ajo mori pjesë në të gjitha luftimet, nga Lumi Vlorës e deri në sulmin mbi qytet.
Çeta territoriale e Fterrës në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare . U krijua më 27 qershor 1942 me 25 luftëtarë dhe më vonë u shumua duke arritur në 55 pjesëtarë me komandant Iljaz Kofina e zëvendëskomandant Muhedin Haderi, komisar Hiqmet Dusha dhe zëvendëskomisar Shaban Mita. Çeta mori pjesën për çlirimin e Komunës së Kuçit dhe të nënprefekturës së Gusmarit në Nëntor 1942, në aksionin e postbllokut të Borshit (30 janar 43), si dhe në luftime të tjera në zonën e Bregdetit e të Kurveleshit.
Çeta atdhetare e Fterrës (1910-1913). Çetë me 6-8 luftëtarë që u angazhua në luftime kundër grekëve që nga viti 1910. Fteriotët Nuredin Kofina, Shaqo e Neki Mita, Xhafer e Jashar Mato, Haxhi Gjoni, në vitin 1910 zhvilluan luftime të ashpra me një çetë greke në zonën e Delvinës, duke e shpartalluar atë dhe vrarë edhe komandantin e saj, ndërsa në vitin 1913, duke u bashkuar me ta edhe Veip Mero e Mato Dusha, i ndoqën ata deri përtej kufijve.
Këshilli Antifashist Nacionalçlirimtare i Fterrës. U formua më 27 qershor 1942 te Kroi i Bedrinit. Kryetar u caktua Mehmet Çallo, detyrë që e kreu, me pak ndërprerje, deri në çlirim. Detyrën e kryetarit e kryen edhe Bastri Dauti e Belul Brinja. Këshilli i Fterrës i realizoi me korrektesë detyrat e tij brenda fshatit dhe në marrëdhënie me fshatrat fqinje. Luajti një rol të veçantë në ruajtjen dhe forcimin e unitetit të fteriotëve dhe të Fterrës me fshatrat e tjera.
Vatra e Kulturës e Fterrës. Institucion kulturor i fshatit Fterrë, ngritur në qendër të tij në vitin 1947 dhe rindërtuar në 1959-1960. Ka shërbyer e shërben për zhvillimin e veprimtarive kulturore. Ka pasur dhe ka grupin polifonik “Fterra në Këngë”, i ngritur për herë të parë në 1947, për festën e Kurveleshi dhe i ripërtërirë herë pas here, duke marrë pjesë në aktivitete të zhvilluara në Fterrë, në Kurveleshi e Bregdet, Vlorë e Sarandë dhe në pesë festivale folklorike - kombëtare, në Gjirokastër, ku është shquar e nderuar për interpretimin e këngës e të valles karakteristike labe. Vatra e Kulturës në Fterrë zhvillon edhe tani veprimtari kulturore.
 

Gazeta "Fterra jone". Gazetë periodike e fshatit Fterrë me karakter kryesor historik e kulturor. Botuesit e saj nga 1997 - 2007 kanë qenë Muzafer Korkuti, Agron Xhama dhe Guro Zeneli. Numri i parë ka dalë në maj 1997. Në faqet e saj pasqyrohen historia e kultura e Fterrës dhe e fteriotëve, jeta dhe puna e fshatit dhe e bijve e bijave të saj, tradita dhe edukata, bashkimi e vëllazërimi i përhershëm me njëri-tjetrin e me miqtë e shokët, e kaluara më e largët e më e afërt, deri në ditët tona. Gazeta është e publikuar edhe në internet. Nga viti 2007 botuesit janë Muzafer Korkuti dhe Agron Xhama dhe në bordin e gazetës janë Bardhyl Xhama, Vullnet Mato, Feksor Shkurti, Robert Maçi, Profit Zani dhe Atlet Maçi. Gazeta vazhdon të botohet.